Ditë seance

Ditë seance

2018-12-12 All day

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 12 dhjetor 2018, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.10/2018, datë 31.07.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 24, datë 13.06.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja.

Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit, ndërsa subjekti i rivlerësimit, parashtroi kundërshtitë e tij ndaj ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, si dhe kërkoi marrjen në shqyrtim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me cilësinë e provës, të disa dokumenteve që i depozitoi pranë trupit gjykues.

Trupi gjykues, pasi u konsultua, i vlerësoi provat të panevojshme dhe si të tilla ia ktheu subjektit të rivlerësimit. Kryesuesi i seancës ftoi respektivisht Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit, për kërkimet përfundimtare. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 24, datë 13.06.2018 të KPK-së dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja. Subjekti i rivlerësimit kërkoi rrëzimin e kërkesës së Komisionerit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 24, datë 13.06.2018 të KPK-së.

Trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit, i cili do të shpallet nesër, më datë 13.12.2018, ora 15.00.