Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 05.07.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 40/2020, datë 21.09.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr.256, datë 12.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Etleva Deda.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, pasi ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr.256, datë 12.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Etleva Deda.

Gjatë prapësimeve të saj, subjekti i riverësimit, znj. Etleva Deda, deklaroi se arrin të justifikojë me burime të ligjshme pasurinë e saj, si dhe arrin të besueshëm për kriterin e figurës dhe nivel kualifikues për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale. Znj. Etleva Deda kundërshtoi Komisionerin Publik, duke deklaruar se disa pasaktësi të saj në deklarimin e pasurisë, nuk mund të bëhen shkak për marrjen e masës disiplininore ekstreme të shkarkimit nga detyra. Subjekti i rivlerësimit, znj. Deda i kërkoi Kolegjit: riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke pranuar si provë disa akte të reja, të cilat i paraqiti bashkëngjitur parashtrimeve të sotme; mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik si të pabazuar në ligj dhe konfirmimin e saj në detyrë.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit bashkëngjitur parashtrimeve gjatë seancës së sotme. Lidhur me një denoncim të publikut, kryesuesja e seancës deklaroi se nuk përmbush kriteret e nenit 53/2 të ligjit 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit deklaruan se përfundimisht, i qëndrojnë kërkimeve të tyre në përmbyllje të parashtrimeve respektive gjatë seancës së sotme.

Trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 21 korrik 2022, ora 9:30.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.