Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 11.01.2021, ora 12:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 51/2020, datë 23.11.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Alaudin Malaj kundër vendimit nr. 294, datë 15.09.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi u njoh dhe u konsultua lidhur me kërkesën paraprake të subjektit të rivlerësimit Alaudin Malaj për të mos lejuar praninë e mediave në seancën e tij, si dhe ndalimin e publikimit të saj, trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkesës, duke vlerësuar se nuk gjendemi në asnjë nga kushtet e nenit 20 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar. Objekti i ankimit të subjektit të rivlerësimit është vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që nuk ka asnjë shkak që lidhet me jetën private, mbrojtjen e moralit publik, rendin publik, sigurinë kombëtare apo sekretin tregtar.
Subjekti i rivlerësimit u dëgjua nga trupi gjykues teksa parashtroi kundërshtitë e tij lidhur me procesin e zhvilluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Subjekti i rivlerësimit, z. Malaj paraqiti edhe dy akte të reja shtesë në funksion të shqyrtimit të çështjes, njëri prej të cilëve, padia e ngritur prej tij në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me dëftesë postare të datës 17 qershor 2020, u pranua në cilësinë e provës nga trupi gjykues. Ndërsa për aktin tjetër, trupi gjykues i kërkoi subjektit të rivlerësimit ta risjellë në formën e kërkuar nga ligji, pasi ishte fotokopje e pavërtetuar.
Trupi gjykues vendosi gjithashtu, t’i japë mundësinë subjektit të rivlerësimit të njihet me aktet procedurale të fashikullit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhen me trajtimin e kërkesave të subjektit të rivlerësimit me objekt përjashtimin e anëtarëve të trupit gjykues. Për këtë qëllim, seanca u shty për në datën 27 janar 2021, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.