Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 03.02.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 39/2019, datë 04.09.2019, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Evelina Qirjako kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 178, datë 08.07.2019.

Subjekti i rivlerësimit znj. Evelina Qirjako i vuri në dispozicion trupit gjykues vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, nr.6, datë 26.01.2021, që lidhet me padinë e saj pranë kësaj gjykate.

Pasi u tërhoq për konsultim dhe u njoh me përmbajtjen e vendimit në fjalë, trupi gjykues me shumicë votash, vendosi ta pranojë këtë vendim në cilësinë e provës në procesin gjyqësor në Kolegj.

Pas këtij momenti procedural, subjekti i rivlerësimit znj. Evelina Qirjako deklaroi heqjen dorë nga kërkesa për pezullimin e gjykimit në Kolegj dhe kërkoi vazhdimin e shqyrtimit të ankimit të saj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr.178, datë 08.07.2019.

Trupi gjykues vendosi vazhdimin më tej të gjykimit të çështjes, duke ftuar subjektin e rivlerësimit, znj. Qirjako të paraqesë pretendimet e saj lidhur me ankimin e depozituar në Kolegj.

Seanca gjyqësore vijoi me parashtrimin e subjektit të rivlerësimit, znj. Evelina Qirjako, pas të cilit, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor. Në kërkimin e saj përfundimtar drejtuar Kolegjit, znj. Qirjako kërkoi prishjen e pikës 2 të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr.178, datë 08.07.2019, duke marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Kryesuesi i seancës deklaroi shtyrjen e seancës gjyqësore me qëllim shpalljen e vendimit përfundimtar, më datë 12.02.2021, ora 13:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.