Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 11.03.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2019, datë 29.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Madani.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e Komisionerit Publik z. Florian Ballhysa, që ka ushtruar ankimin në çështjen (JR) nr. 55/2019, datë 29.10.2019. Z. Ballhysa, më datë 09.03.2021, kishte njoftuar Kolegjin nëpërmjet postës elektronike që, për arsye shëndetësore, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë dhe kërkonte shtyrjen e saj për një kohë të përshtatshme.

Duke qenë se edhe Komisioneri tjetër Publik z. Darjel Sina, po për arsye shëndetësore, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë, trupi gjykues, bazuar në nenin 175, pika 2, e Kodit të Procedurës Civile, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 18.03.2021, ora 10:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.