Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 18.03.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2019, datë 29.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Madani.

Pasi palët në proces deklaruan se nuk kishin kërkesa paraprake, kryesuesja e seancës deklaroi hapjen e shqyrtimit gjyqësor. 

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit lidhur me kriterin e pasurisë, Komisioneri Publik vlerësoi se referuar nenit 61, pikat 3 dhe 5, të ligjit 84/2016, subjekti i rivlerësimit konstatohet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, duke cënuar edhe besimin e publikut. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit shqyrtimin e shkaqeve të ankimit, ndryshimin e vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Artan Madani. 

Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i tij ligjor kundërshtuan shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik dhe i kërkuan Kolegjit të riçelë hetimin gjyqësor dhe të pranojë në cilësinë e provës aktet e reja që i depozituan gjatë seancës së sotme, bashkëlidhur parashtrimeve. 

Pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues, bazuar në nenin F, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës dhe nenin 45 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë vendosi të lejojë marrjen në cilësinë e provës vetëm një pjesë të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë seancës së sotme gjyqësore, pasi vlerësoi se pjesa tjetër e akteve nuk ishin në formën e kërkuar nga ligji. Këto akte iu kthyen subjektit të rivlerësimit, duke i dhënë mundësinë që t’i riparaqesë në formën e kërkuar nga ligji ne seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 13.04.2021, ora 10:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.