Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 01.04.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 46/2019, datë 25.09.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Selita.

Në zbatim të detyrave të lëna nga Kolegji në seancën paraardhëse, Komisioneri Publik paraqiti parashtrimin e tij lidhur me përmbajtjen e akteve të reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe  denoncimet e publikut të ardhura në Kolegj. Komisioneri Publik vlerësoi se edhe pas akteve të reja, subjekti i rivlerësimit nuk është bindës sa i përket kriterit të pasurisë dhe kriterit të aftësive profesionale. Ai i kërkoi Kolegjit kryerjen e hetimeve të mëtejshme në funksion të shkaqeve të ankimit, dhe specifikisht kërkoi që në vlerësimin për kriterin e aftësive profesionale të mbahen parasysh edhe denoncimet e publikut.

Subjekti i rivlerësimit deklaroi se lidhur me pretendimet në parashtrimin e Komisionerit Publik do të mbajë qëndrimin e tij seancën e ardhshme dhe paraqiti dy akte të reja, të cilat kërkoi që të merren në cilësinë e provës nga Kolegji.

Pasi dëgjoi parashtrimin e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit, me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi:

– Të deklarojë të hapur hetimin gjyqësor të çështjes në bazë të nenit F, pika 3 e Aneksit të Kushtetiutës dhe nenit 45 të ligjit 84/2016.

– Të hetojë dhe verifikojë, në zbatim të nenit 53 të ligjit 84/2016 disa prej denoncimeve të paraqitura në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

– Të lejojë marrjen e provave të reja të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit në seancën gjyqësore të datës 17 mars 2021 dhe në seancën e sotme, datë 1 prill 2021.

– Të kërkojë informacione shtesë dhe informacione shpjeguese nga: Gjykata e Lartë, Gjykata Administrative e Apelit, Gjykata Administtrative e Shkallës së Parë Tiranë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Zyra Tiranë, banka Intesa San Paolo.

Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se seanca e ardhshme gjyqësore publike do të zhvillohet më datë 28.04.2021, ora 10:00 dhe se Kolegji do të bëjë me dije palët në proces lidhur me komunikimet e mëtejshme me institucionet e sipërcituara.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.