Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 13.04.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2019, datë 29.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Madani.
Në funksion të detyrave të lëna nga trupi gjykues në seancën e datës 18 mars 2021, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit paraqiti në formën e kërkuar nga ligji aktet që nuk u lejuan të merren në cilësinë e provës në atë seancë. Bazuar në nenin F, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës dhe nenin 45 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, këto akte, trupi gjykues vendosi sot, t’i marrë në cilësinë e provës.
I pyetur nga kryesuesja e seancës nëse do të ishte i gatshëm të përgjigjej në seancën e sotme lidhur me përmbajtjen e akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, Komisioneri Publik kërkoi kohë të arsyeshme, pasi vlerësoi se dokumentet prekin disa shkaqe ankimi e rrjedhimisht duhet të shqyrtohen specifikisht në lidhje me secilin prej tyre. Gjithashtu, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji që të gjitha aktet e pranuara në cilësinë e provës, t’i vihen në dispozicion zyrtarisht në formën e kërkuar nga ligji.
I konsultuar në vend, në përgjigje të kërkesës së Komisionerit Publik, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 22.04.2021, ora 10:30. Gjatë kësaj séance, Komisioneri Publik do të shprehet lidhur me provat e administruara në seancat e datës 18 mars 2021 dhe 13 prill 2021, të cilat do t’i vendosen në dispozicion zyrtarisht nga Kolegji. Deri në seancën e ardhshme, subjekti i rivlerësimit do të ketë mundësinë të paraqesë më vulë apostile disa akte që pritet të vijnë nga shteti grek në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.