Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 27.04.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2019, datë 25.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 183, datë 19.07.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Çano.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, i pyetur nga kryesuesja e seancës, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit paraqiti një kërkesë paraprake, nëpërmjet së cilës, i kërkoi trupit gjykues mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik pasi në vlerësimin e tij, Komisioneri Publik e ka kryer ankimin jashtë afatit ligjor.

Pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues vendosi që kërkesa e subjektit të rivlerësimit për mospranim ankimi do të trajtohet në kuadër të vlerësimit tërësor të ankimit të Komisionerit Publik, bazuar në kërkesat e nenit 450, paragrafi i tretë, i Kodit të Procedurës Civile.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë dokumentacion dhe informacion shtesë në funksion të kryerjes së këtij hetimi për trija kriteret, të pasurisë, kriterin e figurës dhe të aftësive profesionale.

Përfaqësuesi ligjor dhe subjekti i rivlerësimit paraqitën prapësimet lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik që lidhen me kriterin e pasurisë dhe atë të figurës, duke i konsideruar të pabazuara dhe i kërkuan Kolegjit marrjen e provave të reja për kundershtimin e tyre. Sa i përket kriterit profesional, përfaqësuesi ligjor deklaroi se Komisioneri Publik nuk ka përfshirë në ankim pretendimet e tij për këtë kriter dhe duke qenë se këto pretendime e tejkalojnë ankimin dhe kanë qenë objekt verifikimi i ILD-së, nuk duhen shqyrtuar nga Kolegji. 

Në përgjigje të shkaqeve të ankimit dhe dy denoncimeve të ardhura në Kolegj, subjekti i rivlerësimit paraqiti akte të reja, të cilat, kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 14.05.2021, ora 10:30, për të vendosur lidhur me kërkesën e Komisionerit Publik për çelje të hetimit dhe kërkesën e subjektit të rivlerësimit për marrje të provave të reja.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.