Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 03.06.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2019, datë 25.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 183, datë 19.07.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Çano.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se në Kolegj kishin mbërritur përgjigjet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim Taksave, Drejtoria Qëndrore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Gjirokastër, Drejtoria e Ujësjellës – Kanalizimeve Gjirokastër, Vlorë e Lushnjë.
Pasi palët konfirmuan njohjen me dokumentacionin, i cili u pranua në cilësinë e provës nga trupi gjykues, Komisioneri Publik mbajti qëndrimin e tij lidhur me provat e reja.
Gjatë parashtrimit të tij, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit deklaroi se me kërkesën e tij për informacione shtesë lidhur me kriterin e vlerësimit profesional të subjektit të rivlerësimit, Komisioneri Publik ka tejkaluar shkaqet e ankimit që përfshijnë vetëm kriterin e pasurisë dhe të vlerësimit të figurës. Bazuar në nenin 459 të Kodit të Procedurës Civile, përfaqësuesi ligjor i kërkoi Kolegjit ta konsiderojë këtë kërkesë të Komisionerit Publik si të rënë në dekadencë, pasi kriteri i vlerësimit profesional nuk ka qenë pjesë e shkaqeve të ankimit.
Lidhur me provat e reja, përfaqësuesi ligjor deklaroi se nëpërmjet tyre, arrihet të provohen pretendimet dhe kundërshtitë e subjektit të rivlerësimit lidhur me shkaqet e ankimit. Bashkëlidhur parashtrimeve gjatë seancës së sotme, në funksion të hetimit gjyqësor, subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja shtesë, të cilat, me vendim të ndërmjetëm u pranuan në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Gjithashtu, në vijim të përgjigjeve të ardhura nga institucionet, trupi gjykues vendosi t’i kërkojë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë informacion plotësues dhe DSIK-së, përditësimin e raportit mbi vlerësimin e figurës për subjektin e rivlerësimit, në bazë të nenit 39, të ligjit 84/2016. Raporti duhet të jetë i deklasifikuar në funksion të procesit që po zhvillohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Në pritje të informacionit të mësipërm, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 09.07.2021, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.