Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 08.07.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besim Hajdarmataj [(JR) 3/2020, datë 14.01.2020].
Komisioneri Publik mbajti qëndrimin e tij lidhur me aktet shtesë të depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë seancës së mëparshme, të cilat u lejuan të merren si provë nga trupi gjykues.
Komisioneri Publik deklaroi se i qëndron shkaqeve të ankimit lidhur me dy kriteret e vlerësimit: atë të aftësive profesionale dhe kriterin e pasurisë, si dhe vlerësimin tërësor të çështjes, pasi, edhe me aktet e reja, subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë të kundërtën e ankimit.
Pasi vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i drejtoi disa pyetje subjektit të rivlerësimit dhe bëri komente lidhur me çështjen nën shqyrtim, përfaqësuesja ligjore e z.Hajdarmataj i kërkoi Kolegjit vënien në dispozicion të cd-së me fjalën e plotë të vëzhguesit të ONM-së dhe kohë të arsyeshme për të mbajtur qëndrim mbi çështjet e ngritura prej tij.
Në përgjigje të kësaj kërkese, kryesuesja e seancës njoftoi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 13.07.2021, ora 08:30. Duke qenë nuk kishin kërkesa për prova shtesë, gjatë kësaj séance, palët duhet të jenë të përgatitura për të paraqitur konkluzionet përfundimtare.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.