Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 09.06.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2019, datë 25.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 183, datë 19.07.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Çano.
Në vijim të seancës së mëparshme, kryesuesja bëri me dije mbërritjen në Kolegj të përgjigjeve të DSIK-së, të përgjigjeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, si dhe të një denoncimi të ardhur rishtas në Kolegj. Pasi palët konfirmuan njohjen me dokumentacionin, trupi gjykues vendosi të lejojë marrjen e akteve në cilësinë e provës.
Komisioneri Publik deklaroi se bazuar në raportin e përditësuar të sjellë nga DSIK-ja lidhur me vlerësimin e figurës për subjektin e rivlerësimit në bazë të nenit 39, të ligjit 84/2016, pjesërisht të deklasifikuar, ka të dhëna që kërkojnë trajtim në burimin e tyre.
Lidhur me materialet e dërguara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, Komisioneri Publik rezervoi të drejtën të shprehej pasi të njihej me qëndrimin e subjektit të rivlerësimit. Komisioneri Publik la në çmimin e gjykatës vlerësimin mbi denoncimin e ardhur në adresë të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit ligjor kundërshtoi konstatimet e raportit të DSIK-së, duke shtuar se nuk mund të shprehej specifikisht për pika të këtij raporti, të cilin e cilësoi si teorik.
Lidhur me materialet e dërguara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, subjekti i rivlerësimit përsëriti qëndrimin e tij se ka zbatuar rregullat procedurale në të gjitha praktikat e ndjekura.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi pretendimet e ngritura në denoncim dhe në mbështetje të këtij qëndrimi, depozitoi akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues.
Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues në zbatim të nenit Ç, pika 4, të Aneksit të Kushtetutës dhe neneve 21 dhe 22 të ligjit nr. 8457, të datës 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, si dhe neneve 39, pika 2; 47 dhe nenit 49, pika 1, gërma c, të ligjit 84/2016, vendosi:
- Të verifikojë në institucionin informues “Drejtorinë e Informacionit të Klasifikuar” dokumentacionin që përmban të dhënat e përcjella për subjektin e rivlerësimit, mbi të cilat është hartuar raporti mbi kontrollin e figurës, i datës 30 qershor 2021.
- Të kërkojë informacion nga strukturat përkatëse për statusin aktual të trajtimit të informacionit që lidhet me subjektin e rivlerësimit, të përcjellë tek këto struktura prej institucionit informues.
Po ashtu, trupi gjykues pasi mori në shqyrtim aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit në lidhje denoncimin, vendosi të mos hetojë, pasi nuk rezulton që ato të përmbajnë fakte dhe rrethana që të kërkonin fillimin e hetimit, në kuptim të nenit 53, të ligjit 84/2016.
Në pritje të përgjigjeve, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 21.07.2021, në orën 11:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.