Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 16.07.2021, ora 10:30, seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besim Hajdarmataj [(JR) 3/2020, datë 14.01.2020].
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se i qëndron shkaqeve të ankimit lidhur me dy kriteret e vlerësimit: atë të aftësive profesionale dhe kriterin e pasurisë, si dhe vlerësimin tërësor të çështjes, pasi sipas tij, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit. Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit, në kuptim të pikës 5, të nenit 61, të ligjit 84/2016 dështoi të kalonte testin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Bazuar në dispozitat e pikës 3 dhe 7 të nenit F të Aneksit të Kushtetutës, germës “b”, të pikës 1, të nenit 66 të ligjit 84/2016, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 200, datë 16.10.2019 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Besim Hajdarmataj.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e tij ligjore kundërshtuan shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i konsideruar të pabazuara në ligj, të padrejta dhe jo proporcionale.
Subjekti i rivlerësimit, bazuar në nenin 66, pika 1, “germa “a” të ligjit 84/2016 dhe në nenin 51, të ligjit 49/2012 “Për organizmin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 200, datë 16.10.2019 dhe konfirmimin e tij në detyrë.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 29.07.2021, ora 09:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.