
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 03.02.2026, ora 12:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 39/2024, datë 15.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 774, datë 14.06.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Vukaj.
Nisur nga fakti që subjekti i rivlerësimit paraqiti në seancën e sotme gjyqësore akte shtesë në vijim të atyre të paraqitura në seancën e datës 27.01.2026, trupi gjykues vendosi revokimin e vendimit të ndërmjetëm të marrë në këtë seancë për mbylljen e hetimit gjyqësor, duke e riçelur atë, në funksion të pranimit në cilësinë e provës të këtyre akteve të reja.
Pasi u vendos mbyllja e hetimit gjyqësor, palët vijuan paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit sa i përket kriterit të vlerësimit të pasurisë dhe atij të aftësive profesionale, duke u gjendur në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë e me mangësi në aftësitë e njohjes dhe arsyetimit ligjor. Z. Xholi deklaroi se janë shëruar shkaqet e ankimit lidhur me kriterin e figurës, por kjo nuk ndikon në raport me kërkimin e ankimit. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, bazuar në nenin 61, pika 3 dhe 5 të ligjit 84/2016, i kërkoi përfundimisht Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 774, datë 14.06.2024 dhe shkarkimin e subjektit të rivlerësimit Petrit Vukaj.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit kundërshtoi qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke deklaruar se lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, bazuar në aktet në dosje, balanca negative është minimale dhe duke marrë në konsideratë parimin e proporcionalitetit, nuk mund të përbëjë shkak ligjor apo faktik për marrjen e masës disiplinore të shkarkimit. Lidhur me kriterin e aftësive profesionale, përfaqësuesja ligjore, në prapësim të ankimit, dha shpjegime për secilin prej procedimeve penale të trajtuara nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe kërkoi përfundimisht mospranimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 774, datë 14.06.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 05.02.2026, ora 15:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
