
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 27.02.2026, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 33/2024, datë 04.09.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 766, datë 22.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ervin Aliu.
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.
Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi heqjen dorë nga ankimi i Komisionerit Publik, pasi nga shqyrtimi i dokumenteve në dosje lidhur me kriterin e pasurisë, nuk ishin konstatuar pasaktësi të tilla, për të passjellë marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.
Subjekti i rivlerësimit ndau të njëjtin qëndrim me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe përfundimisht, i kërkoi Kolegjit pranimin e kërkesës për heqjen dorë nga ankimi, pasi nuk ka më lëndë procedurale për të shqyrtuar çështjen, si dhe pushimin e shqyrtimit të saj.
Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të tërhiqet në dhomë këshillimi për marrjen dhe shpalljen e vendimit përfundimtar si më poshtë vijon:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 33/2024, datë 04.09.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 766, datë 22.05.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ervin Aliu.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në nenet 451, shkronja “b” e 463 të Kodit të Procedurës Civile, në mënyrë unanime, vendosi:
Pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 33/2024, datë 04.09.202, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 766, datë 22.05.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Ervin Aliu.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 27.02.2026.
