< 2021 >
December 15
  • 15
    15.December.Wednesday

    Seancë Publike

    11:25
    2021.12.15

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 15.12.2021, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 4/2021, datë 21.05.2021, me ankues Enkeleida Hoxha, kundër vendimit nr.92, datë 17.03.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me subjekt të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj).

    Kryesuesja i bëri me dije ankueses Enkeleida Hoxha, të pranishme në seancëse, se avokati Ardian Visha kishte depozituar në Kolegj një kërkesë, nëpërmjet së cilës kërkonte shtyrjen e seancës, për shkak të pamundësisë së tij për të qenë i pranishëm, për arsye objektive shëndetësore.

    E pyetur nga kryesuesja, ankuesja konfirmoi se dëshironte të përfaqësohej në procesin që do të zhvillohej në Kolegj nga ky avokat, sipas tagrave të përcaktuara në prokurën e lëshuar prej saj dhe se gjithashtu, dakordësohej për shtyrjen e seancës për shkak të mosprezencës së tij.

    Kryesuesja pyeti ankuesen Enkeleida Hoxha nëse i ishte vënë në dispozicion nga KLGJ i gjithë fashikulli i administruar dhe krijuar në kuadër të procedimit disiplinor të saj, dhe ajo deklaroi se ishte njohur vetëm me vendimin për fillimin e procedimit disiplinor.

    I pyetur nga kryesuesja, përfaqësuesi i KLGj-së deklaroi se krahas parashtrimeve të tij të depozituara në Kolegj, është paraqitur edhe dosja e plotë në funksion të procedimit disiplinor. Në vijim të këtij deklarimi, Kryesuesja sqaroi se perceptimi i Kolegjit, bazuar në përcaktimin që është bërë për to në shkresën e KLGJ, është që nga kjo e fundit, janë depozituar vetëm dokumentet në funksion të prapësimeve të paraqitura në Kolegj, por jo fashikulli i plotë i administruar dhe krijuar në KLGJ në funksion të procedimit disiplinor për znj. Enkeleida Hoxha.

    Pasi u tërhoq për konsultim, Kolegji, bazuar në nenin 175, paragrafi i dytë, i Kodit të Procedurës Civile, vendosi të pranojë kërkesën e ankueses Enkeleida Hoxha dhe avokatit Ardian Visha për shtyrjen e seancës së sotme gjyqësore.

    Bazuar në nenet 1, paragrafi 2 dhe 42 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Kolegji vendosi t’i drejtohet KLGJ-së për të sjellë brenda datës 29.12.2021, fashikullin e plotë me të gjitha aktet e administruara dhe të krijuara në funksion të procedimit disiplinor, në bazë të të cilit është marrë vendimi nr. 92, datë 17.03.2021 i KLGJ-së.

    Gjithashtu, bazuar në nenin 38, pika 2 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Kolegji vendosi të thërrasë si subjekt të interesuar Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, pjesëmarrja e të cilit në këtë proces konsiderohet e nevojshme për zhvillimin efektiv të tij.

    Me qëllim përmbushjen e detyrave të urdhëruara nga trupi gjykues, seanca e radhës do të zhvillohet në datën 20 janar 2022, ora 10:00.

    Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

    Seancë Publike

    13:29
    2021.12.15
    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 15.12.2021, ora 13:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 13/2020, datë 01.06.2020 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 221, datë 10.12.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anita Jella.
    Pas verfikimit të prezencës së palëve, kryesuesja bëri me dije mbërritjen në Kolegj të disa denoncimeve në adresë të subjektit të rivlerësimit dhe përcjelljen e tyre palëve në proces.
     
    Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim jo të plotë, të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë, referuar kërkesave të nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016, duke mos arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e këtj kriteri. Komisioneri Publik deklaroi se kanë rezultuar problematika dhe mangësi lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale dhe se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën, përsa i ka kaluar barra e provës.  Duke i kërkuar Kolegjit të ushtrojë juridiksionin vlerësues dhe kontrollues për të trija kriteret e vlerësimit, bazuar në pikën 3 dhe 7, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës, shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
    Subjekti i rivlerësimit, znj. Anita Jella kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe kriterin e aftësive profesionale, duke deklaruar se ky ankim është i pabazuar në ligj, fakte dhe prova, se Komisioneri Publik nuk ka zbatuar parimin e objektivitetit dhe të proporcionalitetit, ndaj vlerësimi i kryer prej tij nuk i përgjigjet kërkesave të nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr.84/2016.
    Subjekti i rivlerësimit, znj. Jella, i kërkoi Kolegjit riçeljen e hetimit, administrimin dhe pranimin në cilësinë e provës të disa akteve shoqëruese të parashtrimit të sotëm për një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës, mospranimin e ankimit të Komisionierit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 221, datë 10.12.2019.
    Sa i përket denoncimeve, subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë të arsyeshme për përgatitjen me shkrim të qëndrimit, ndërsa Komisioneri Publik rezervoi të drejtën të shprehet pasi të dëgjojë subjektin e rivlerësimit.
    Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor të çështjes, si dhe të pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e përgjigjeve. Gjatë kësaj kohe, subjekti i rivlerësimit do të përgatisë përgjigjet edhe lidhur me disa pyetje sqaruese të relatores së çështjes gjatë seancës së sotme. Për këto arsye, seanca u shty për në datën 20.12.2021, ora 10:00.
    Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.