< 2022 >
September 27
  • 27
    27.September.Tuesday

    Seancë publike

    10:00 -12:00
    2022.09.27

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 27.09.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 2/2021, datë 26.03.2021, me ankues Markelian Kuqo, kundër vendimit nr.633, datë 10.12.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo” dhe me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

     

    Kryesuesja e seancës bëri me dije se palëve u ishte vënë në dispozicion vendimi i Gjykatës së Lartë i çështjes penale lidhur me rekursin e shtetasit G.Gj., vendimmarrje, në pritje të së cilës, Kolegji pezulloi gjykimin e çështjes së juridiksionit disiplinor nr. 2/2021, datë 26.03.2021, me vendim të ndërmjetëm të datës 11.03.2022.

     

    Ankuesi Markelian Kuqo kundërshtoi vendimin e Kolegjit për pezullimin e procesit të procedimit disiplinor, si një vendim të marrë në cënim të hapur të ligjit, që shkon përtej shkaqeve të ankimit dhe nuk i shërben zgjidhjes së drejtë të çështjes. Ankuesi Markelian Kuqo i kërkoi Kolegjit t’i vërë në dispozicion procesverbalet e seancës, gjatë së cilës është marrë ky vendim.

     

    Subjektet e interesuara në këtë gjykim, përfaqësuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, teksa paraqitën qëndrimin e tyre lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë, i kërkuan Kolegjit revokimin e vendimit të ndërmjetëm të datës 11.03.2022 për pezullim të gjykimit dhe vijimin e procesit, me arsyetimin se ka rënë shkaku i marrjes së tij. Subjektet e interesuara kërkuan depozitimin si provë të këtij vendimi dhe kalimin në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të çështjes.

     

    Pasi u tërhoq për konsultim, Kolegji vendosi të rrëzojë kërkesën e ankuesit Markelian Kuqo për vënien në dispozicion të procesverbaleve të seancës, gjatë së cilës është marrë vendimi i pezullimit, me arsyetimin se ky vendim i ndërmjetëm, i marrë në dhomë këshillimi, është i paankimueshëm, i padiskutueshëm dhe si i tillë, nuk i nënshtrohet debatit gjyqësor.

     

    Kolegji vendosi të revokojë vendimin e ndërmjetëm për pezullim të gjykimit, pasi ka rënë shkaku i marrjes së tij, si dhe të administrojë si provë vendimin e Gjykatës së Lartë.

     

    Pasi palët u pyetën nga kryesuesja nëse kishin kërkesa të tjera shtesë, ankuesi Markelian Kuqo theksoi qëndrimin e tij se marrja si provë e vendimit të Gjykatës së Lartë devijon shkaqet e ankimit, çon drejt një zgjidhjeje materiale dhe jo ligjore të çështjes. Ankuesi kërkoi që përmbajtja e vendimit të Gjykatës së Lartë të shqyrtohet në kuadër të procedimit disiplinor dhe subjektet e interesuara, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë të relatojnë qëndrimin për shkeljet disiplinore nën dritën e këtij vendimi.

     

    Përfaqësuesit e KLGj-së dhe ILD-së deklaruan se qëndrimet e tyre rreth vendimit të Gjykatës së Lartë do t’i paraqesnin gjatë konkluzioneve përfundimtare.

     

    Duke qenë se ankuesi Markelian Kuqo kërkoi kohë për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, Kolegji vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 5 tetor 2022, ora 10:00.

     

    Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

    Njoftim

    10:00
    2022.09.27

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit njofton se seanca për shqyrtimin në dhomë këshillimi të çështjes (JR) nr. 32/2020, datë 31.08.2020, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Bernina Kondi, e caktuar për t’u zhvilluar ditën e mërkurë, datë 05.10.2022, ora 10:00, për arsye objektive të vëzhguesit ndërkombëtar, do të zhvillohet ditën e martë, më datë 11.10.2022, ora 10:00.
    Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:
    Kryesuese: Natasha Mulaj
    Relatore: Ina Rama
    Anëtarë: Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo
    Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

    Njoftim

    15:00
    2022.09.27

    Ditën e hënë, më datë 31.10.2022, ora 10:00, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr. 4/2022, datë 24.01.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Eda Kaja kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 476, datë 16.11.2021.

    Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:

    Kryesuese: Ina Rama

    Relatore: Mimoza Tasi

    Anëtarë: Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo

    Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.