Trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit më datë 22.04.2022, në Kolegj, sipas inventarit në parashtrimet e paraqitura prej saj.
Trupi gjykues vendosi të mos kërkojë informacion dhe prova shtesë, sipas kërkesës së Komisioneres Publike, pasi provat e pranuara vlerësohen të mjaftueshme për zgjidhjen e çështjes.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Duke marrë parasysh kërkesën e Komisioneres Publike për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 20 qershor 2022, ora 14:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.