Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 22 korrik 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.30/2018, datë 06.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Nertina Kosova.
Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se të gjitha shkaqet e ankimit të ngritura prej tij, gjetën përgjigje në provat e depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë procesit në Kolegj dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por me një arsyetim ndryshe nga ai i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj.Kosova, parashtroi konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit nr.43, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 26.07.2019, ora 09.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.