Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 06.10.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2023, datë 24.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023, për subjektin e rivlerësimit Elidon Hysenaj.

Kryesuesja bëri me dije se, në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, trupi gjykues ishte njohur në mënyrë të drejtpërdrejtë me informacionin e klasifikuar, të njohur edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të çështjes, pranë institucioneve ligjzbatuese.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho deklaroi se, edhe pas njohjes me provat e reja, vijon të mbetet e paargumentuar dhe e paqartë ndërmarrja e veprimeve hetimore prej subjektit të rivlerësimit në disa çështje. Z. Braho i kërkoi Kolegjit, që të marrë në konsideratë gjetjet e konstatuara, t’i vlerësojë ato në raport me informacionin e klasifikuar me të cilin është njohur dhe në mënyrë alternative të vendosë ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023.

Kryesuesja e trupit gjykues pyeti përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme nëse mund të paraqiste një kërkim përfundimtar dhe jo alternativ për çështjen. Z. Braho deklaroi se vjen me këtë kërkim alternativ, pasi nuk është njohur me informacionin e klasifikuar të agjencive ligjzbatuese.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se në këtë kërkim alternativ të përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme nuk identifikohet asnjë shkelje e ligjit procedural apo material, nuk ka normë të supozuar të shkelur, kërkesë përfundimtare apo argumentim të bazuar në fakte.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi t’i kërkojë Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe përfaqësuesit të tij, të paraqesë një kërkim konkret, të vetëm, pa alternativa, për vendimin objekt kontrolli, duke i ftuar që, nëse e vlerësojnë të nevojshme, mund të aksesojnë për konsultim në ambientet e Kolegjit dosjen e klasifikuar të subjektit të rivlerësimit, e cila është e administruar në fashikullin e Komisionit, si pjesë përbërëse e tij.

Për këtë arsye, seanca publike u shty për në datën 13.10.2025, ora 10.00. Kjo seancë do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.