
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 13.10.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2023, datë 24.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 704, datë 09.10.2023, për subjektin e rivlerësimit Elidon Hysenaj.
Në vijim të seancës së mëparshme, kryesuesja e trupi gjykues pyeti përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho nëse do të paraqiste një kërkim të vetëm, pa alternativa dhe nëse e konsideronte të nevojshëm aksesimin në ambientet e Kolegjit të dosjes së klasifikuar të subjektit të rivlerësimit, e cila është e administruar në fashikullin e Komisionit, si pjesë përbërëse e tij.
Klodjan Braho deklaroi se vlerëson që informacioni në dosje është i pamjaftueshëm për çështjen, rrjedhimisht, i është drejtuar institucionit përkatës për t’u njohur në burim me informacionin e klasifikuar, çka nuk është bërë ende e mundur. Për këtë arsye, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit shtyrjen e seancës gjyqësore për një kohë të arsyeshme.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se e lë në çmim të gjykatës vendimmarrjen për këtë kërkesë, duke shtuar se mbetet e hapur për çdo informacion shtesë të nevojshëm në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Trupi gjykues, pasi u konsultua vendosi të pranojë kërkesën e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, duke shtyrë seancën gjyqësore për në datën 24.10.2025, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
