
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11.11.2025, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 47/2023, datë 19.10.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 689, datë 24.07.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ervin Pollozhani.
Në seancën e sotme, e cila ishte planifikuar për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të palëve, vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, z. Theo Jacobs paraqiti një dokument të titulluar “Gjetje dhe mendim”, duke i kërkuar trupit gjykues ta pranojë këtë dokument në cilësinë e provës, për të vijuar me ndërmarrjen e hetimeve të nevojshme lidhur me gjetjet e përfshira në të.
I pyetur nga kryesuesja e seancës për një qëndrim lidhur me këtë kërkesë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se i nevojitet kohë e arsyeshme për t’u njohur me dokumentin dhe për të mbajtur një qëndrim lidhur me të.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit ngriti për diskutim legjitimitetin e kërkesës së vëzhguesit ndërkombëtar si dhe momentin procedural në të cilin është paraqitur kjo kërkesë, kur hetimi gjyqësor i çështjes është mbyllur dhe palët janë ftuar të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Trupi gjykues, pasi u këshillua lidhur me vijimin e procesit gjyqësor, vendosi të shtyjë seancën për në datën 14.11.2025, ora 10:00, për t’i dhënë mundësi palëve të mbajnë një qëndrim rreth kërkesës së vëzhguesit ndërkombëtar të paraqitur në dokumentin e konsideruar “Gjetje dhe mendim”.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
