Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 12.11.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 37/2024, datë 01.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 773, datë 07.06.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Juljan Haxhiu.

Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi heqjen dorë nga ankimi, pasi, sipas tij, pas vlerësimit të dokumenteve në dosje ishin evidentuar rrethana që konfirmonin përfundimin e arritur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.

Ndodhur në këto kushte, subjekti i rivlerësimit kërkoi pushimin e gjykimit të çështjes, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 773, datë 07.06.2024.

Pasi trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 12.11.2025, ora 11:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.