Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 15.12.2025, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 15/2024, datë 17.04.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit dhe të subjektit të rivlerësimt kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 739, datë 26.02.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mimoza Margjeka.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit Mimoza Margjeka dhe bëri me dije se ajo ditën e sotme i kishte drejtuar një kërkesë Kolegjit shoqëruar me akte shkresore bashkëlidhur, nëpërmjet së cilës, kërkonte shtyrjen e seancës gjyqësore për shkak të pamundësisë objektive për të marrë pjesë në këtë seancëë, për arsye shëndetësore të fëmijës së saj të mitur.

Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme shprehu dakordësinë për shtyrjen e seancës, për t’i dhënë sërish mundësi subjektit të rivlerësimit të marrë pjesë në të.

Trupi gjykues i konsultuar në vend vendosi me vendim të ndërmjetëm shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 10.02.2026, ora 10:00, duke i kërkuar subjektit të rivlerësimit të marrë masat personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi ligjor, për të mundësuar dhënien e qëndrimit të saj, në mënyrë që të vijohet me gjykimin e çështjes në ngarkim të subjektit Mimoza Margjeka.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.