
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11.02.2026, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) nr. 36/2024, datë 09.09.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 778, datë 28.06.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Vjollca Spahiu.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet provave të reja, shpjegimeve bindëse e të arsyeshme arriti të provojë të kundërtën e ankimit për kriterin e pasurisë. Bazuar në parimin e proporcionalitetit, z. Adnan Xholi i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 778, datë 28.06.2024.
Subjekti i rivlerësimit e vlerësoi objektiv dhe të drejtë qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme për ligjshmërinë e provave të reja, si dhe kërkimin e tij përfundimtar, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Znj. Vjollca Spahiu, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik dhe pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 36/2024, datë 09.09.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 12.02.2026, ora 16:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.
