Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 26.02.2026, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 44/2024, datë 11.11.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 789, datë 25.07.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Albana Palaj.

Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Bazuar në nenin 199, paragrafi i dytë i Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi kalimin procedural nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i përfaqësuar në këtë çështje me autorizim të veçantë nga prokurori i Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi, i pranishëm në seancë.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se subjekti i rivlerësimit, znj. Albana Palaj, nuk mbulon me burime të ligjshme krijimin e pasurisë së saj dhe të personit të lidhur, duke mos arritur nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 789, datë 25.07.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Albana Palaj.

Subjekti i rivlerësimit deklaroi se ankimi është joobjektiv, i pabazuar në ligj e në prova, rrjedhimisht nuk arrin të rrëzojë vendimin e konfirmimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili është i drejtë, proporcional, i bazuar në një analizë të plotë financiare dhe në rrethanat e çështjes.

Edhe gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të çështjes, palët i qëndruan kërkimeve të mësipërme.

Trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 04.03.2026, ora 14:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.