Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 23.12.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 39/2019, datë 04.09.2019, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Evelina Qirjako kundër vendimit nr. 178, datë 08.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Qirjako paraqiti kërkesën e saj paraprake drejtuar Kolegjit për pezullimin e shqyrtimit të çështjes të saj deri në zgjidhjen përfundmitare të padisë që ajo ka ngritur në Gjykatën Administrative të Apelit, pasi sipas saj, vendimi që do të marrë kjo gjykatë lidhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me shqyrtimin e çështjes në Kolegj.

Pasi u tërhoq për konsultim lidhur me kërkesën e subjektit të rivlerësimit, me shumicë votash, bazuar në nenin 50 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues vendosi t’i kërkojë Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë, informacion mbi statusin e gjykimit të çështjes së znj. Evelina Qirjako dhe të vijojë shqyrtimin e çështjes në Kolegj, pas mbërritjes së këtij informacioni.

Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 21.01.2021, ora 10:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.