Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 21.01.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 39/2019, datë 04.09.2019, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Evelina Qirjako kundër vendimit nr. 178, datë 08.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Nga kryesuesi i seancës u bë me dije se Gjykata Administrative e Apelit i ka konfirmuar nëpërmjet një shkrese zyrtare Kolegjit, se është duke shqyrtuar çështjen që i përket subjektit të rivlerësimit znj. Evelina Qirjako.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Qirjako, paraqiti një vërtetim të Gjykatës Administrative të Apelit, nëpërmjet të cilit konfirmohet se seanca e radhës në atë gjykatë është caktuar më datë 26 janar 2021. Duke i kërkuar trupit gjykues marrjen në cilësinë e provës së këtij akti, subjekti i rivlerësimit kërkoi shtyrjen e seancës gjyqësore në Kolegj për në një datë tjetër, pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Administrative e Apelit, me arsyetimin se gjykimet lidhen me njëri – tjetrin.
Pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues vendosi të marrë në cilësinë e provës shkresën e Gjykatës Administrative të Apelit dhe vërtetimin e kësaj gjykate mbi statusin e gjykimit të çështjes, lëshuar subjektit të rivlerësimit.
Me shumicë votash, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të shtyrë seancën gjyqësore pas datës 26 janar 2021, duke vendosur që ta zhvillojë atë në datën 03.02.2021, ora 10: 00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.