Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 02.02.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 41/2019, datë 06.09.2019, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Eugen Beçi, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 171, datë 26.06.2019.
Subjekti i rivlerësimit Eugen Beçi u dëgjua nga trupi gjykues teksa paraqiti parashtrimin e tij lidhur me kriterin e kontrollit të figurës dhe atë të vlerësimit të pasurisë, duke i kërkuar trupit gjykues të rivlerësojë edhe njëherë provat që janë në dosjen e hetimit administrativ dhe vlerën provuese të tyre.
Në funksion të shqyrtimit të çështjes, subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte të reja, të cilat trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, pranoi t’i marrë në cilësinë e provës, bazuar në nenin F pika 3 e Aneksit të Kushtetutës dhe në nenin 45 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Pasi subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera shtesë, kryesuesja e seancës deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes.
Në kërkimin përfundimtar, subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues konfirmimin e tij në detyrë dhe prishjen e vendimit nr. 171, datë 26.06.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore me qëllim shpalljen e vendimit përfundimtar të çështjes, më datë 09.02.2021, ora 15:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.