Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 17.02.2021, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 51/2020, datë 23.11.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Alaudin Malaj kundër vendimit nr. 294, datë 15.09.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Subjekti i rivlerësimit, bazuar në nenin 145, pika 2 e Kushtetutës, i paraqiti trupit gjykues një kërkesë për pezullimin e gjykimit, në mënyrë që Kolegji t’ia dërgojë për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese çështjen e ngritur në kërkesë nga subjekti i rivlerësimit, z. Malaj.
Pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues e rrëzoi kërkesën e subjektit të rivlerësimit, me arsyetimin se nuk ndodhemi në kushtet e nenit 145, pika 2 e Kushtetutës, pasi nuk çmohet se ndonjë nga ligjet e procesit të rivlerësimit bie ndesh me Kushtetutën.
Po ashtu, trupi gjykues, pasi mori në shqyrtim të gjitha kërkesat dhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, deklaroi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi subjektin e rivlerësimit të paraqesë konkluzionet përfundimtare.
Duke marrë parasysh kërkesën e subjektit të rivlerësimit për kohë të arsyeshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 23.02.2021, ora 09:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.