Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 16.03.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 3/2021, datë 14.01.2021, që i përket ankimit të paraqitur nga subjekti i i rivlerësimit Bilbil Mete kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 322, datë 10.12.2020.
Subjekti i rivlerësimit Bilbil Mete u dëgjua nga trupi gjykues teksa paraqiti kundërshtitë e tij ndaj pikës 2 të vendimit nr. 322, datë 10.12.2020, sipas së cilës “subjekti humb të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë Gjyqësor ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.
Në funksion të shqyrtimit të çështjes, u morën në cilesinë e provës aktet shkresore të sjella nga subjekti i rivlerësimit bashkëlidhur ankimit, bashkëlidhur parashtrimeve dhe disa akte të tjera në seancen e sotme gjyqësore publike me kërkesë të trupit gjykues.
Kryesuesja e seancës deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, me shumicë votash. Subjekti i rivlerësimit, si kërkim të tij përfundimtar, deklaroi se i qëndron ankimit. Seanca gjyqësore u shty për shpalljen e vendimit përfundimtar, më datë 23.03.2021, ora 13:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.