Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 17.03.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 46/2019, datë 25.09.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Selita.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi prezencën e Komisionerit Publik, z. Florian Ballhysa dhe të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Selita, të cilët, deklaruan se nuk kishin asnjë pretendim lidhur me përbërjen e trupit gjykues, si dhe konfirmuan marrjen e 12 denoncimeve për subjektin e rivlerësimit që u ishin vënë në dispozicion nga Kolegji. 

Pasi kryesuesja e seancës deklaroi hapjen e shqyrtimit gjyqësor, Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit lidhur me kriterin e pasurisë, dhe ngriti çështjet ligjore që sipas tij, meritojnë vlerësimin dhe interpretimin e Kolegjit, si dhe nevojën për hetime të metejshme. Sa i përket kriterit profesional, Komisioneri Publik, duke iu referuar denoncimeve, vlerësoi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka hetuar në mënyrë shteruese lidhur me to. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit çeljen e hetimit gjyqësor me qëllim hetimin e shkaqeve të ankimit dhe administrimin eventual të provave të reja.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi në mënyrë të detajuar shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i konsideruar si të pabazuara në ligj e në prova, ndërsa duke iu referuar denoncimeve në adresë të tij, deklaroi se në çdo rast, gjatë ushtrimit të detyrës, ka shmangur konfliktin e interesit. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit që në funksion të shqyrtimit të çështjes, të pranojë në cilësinë e provës aktet e reja që i depozitoi gjatë seancës së sotme gjyqësore, bashkëlidhur parashtrimit të tij.

Duke marrë parasysh kërkesën e Komisionerit Publik për kohë të arsyeshme për t’u njohur dhe shprehur lidhur me përmbajtjen e akteve të reja dhe denoncimeve të paraqitura në Kolegj, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 01.04.2021, ora 10:00. Kryesuesja e seancës deklaroi se gjatë kësaj séance, trupi gjykues do të shprehet edhe lidhur me vendimin mbi çeljen e hetimit dhe marrjen në cilësinë e provës të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.