Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 01.04.2021, ora 14:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 28/2020, datë 10.07.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 231, datë 29.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anton Martini.

 

I pyetur nga kryesuesi i seancës, subjekti i rivlerësimit dha shpjegime lidhur me faktin që disa nga aktet e depozituara prej tij në seancën parardhëse, nuk ishin në formën e kërkuar nga ligji.

 

Në vijim, Komisioneri Publik paraqiti prapësimet e tij lidhur me pretendimin e subjektit të rivlerësimit se ankimi i Komisionerit Publik është kryer jashtë afatit ligjor prej 15-ditësh dhe si i tillë, nuk duhet pranuar. Në fund të arsyetimit të tij, Komisioneri Publik deklaroi se ka ushtruar të drejtën e ankimit brenda afateve ligjore, sipas nenit 63, pika 1, e ligjit 84/2016.

 

Pasi palët konfirmuan marrjen e denoncimeve të vëna në dispozicion nga Kolegji dhe pasi u tërhoq për konsultim, trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe të lejojë marrjen në cilësinë e provës të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

 

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 19.04.2021, ora 11:00 për t’u dhënë mundësinë palëve të mbajnë qëndrimin e tyre lidhur me denoncimet dhe provat e reja.

 

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.