Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit znj. Albana Shtylla priti sot në ambientet e Kolegjit kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ShSZ. Ambasador Vincenzo Del Monaco, me të cilin diskutoi rreth sfidave të shumta që dikton procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe rreth mundësive për një bashkëpunim të frytshëm mes palëve në kuadër të adresimit të këtyre sfidave.
Kryetarja e Kolegjit shprehu interesin për një bashkëpunim të frytshëm me zyrën e OSBE-së, me fokus rritjen e kapaciteteve administrative, por edhe të përcjelljes së duhur në publik, nëpërmjet medias, të proceseve të zhvilluara në kuadër të dy juridiksioneve të Kolegjit, juridiksionit të rivlerësimit dhe atij disiplinor.
Znj. Shtylla informoi ambasadorin se Kolegji është përgatitur tashmë për shqyrtimin e çështjeve të juridiksionit disiplinor që po vijnë duke u rritur në numër, si dhe për rëndësinë që ka për Kolegjin njohja me praktikat më të mira të trajtimit të këtyre çështjeve në GjEDNj, por edhe gjykata të tjera europiane që trajtojnë çështje të këtij juridiksioni.
Ambasadori Del Monaco, duke ofruar mbështetjen dhe vëmendje të veçantë të OSBE-së sa i përket ecurisë së suksesshme të procesit të Vetting-ut, garantoi kryetaren e Kolegjit për adresimin e shpejtë të kërkesave të evidentuara prej saj gjatë këtij takimi, pas një vlerësimi nga mekanizmat dhe strukturat e OSBE-së që kanë në fokus çështjet e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.