Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 22.04.2021, ora 10:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 55/2019, datë 29.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Madani.

Pasi konfirmoi marrjen zyrtarisht nga Kolegji të të gjitha provave të administruara në funksion të shqyrtimit të çështjes, Komisioneri Publik mbajti qëndrimin e tij lidhur me këto prova. Komisioneri Publik vlerësoi se provat e reja nuk vërtetojnë situatë të ndryshme nga sa është parashtruar prej tij në shkaqet e ankimit.

Përfaqësuesi ligjor dhe subjekti i rivlerësimit kundërshtuan qëndrimin e Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit të marrë parasysh provat e reja të depozituara prej tyre, për shkak të vlerës provuese që ato paraqesin.

Në përmbushje të detyrave të lëna nga seanca e mëparshme, subjekti i rivlerësimit paraqiti aktet e ardhura nga shteti grek me vulë apostile dhe trupi gjykues vendosi të lejojë marrjen e tyre në cilësinë e provës, bazuar në nenin F, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës dhe nenin 45 të ligjit 84/2016.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 29.04.2021, ora 15:00 ; në të cilën Komisioneri Publik do të shprehet për aktet të cilat u morën në cilësinë e provës në seancën e sotme, duke u kërkuar palëve që gjatë kësaj séance, të jenë të përgatitura për të paraqitur edhe konkluzionet përfundimtare mbi çështjen.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.