Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 28.04.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 46/2019, datë 25.09.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Selita.

Të pyetur nga kryesuesja e seancës, palët konfirmuan përcjelljen nga Kolegji të akteve të mbërritura nga Gjykata e Lartë, Gjykata Administrative e Apelit, Gjykata Administtrative e Shkallës së Parë Tiranë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Zyra Tiranë, banka Intesa San Paolo. Kryesuesja bëri me dije se bazuar në nenin 49, pika 1, germa c, e ligjit 84/2016 dhe nenin 224 të Kodit të Procedurës Civile, Kolegji administroi këto akte të sjella nga institucionet e sipërcituara, pas kërkesave të drejtuara nga Kolegji.

Pas këtij momenti procedural, Komisioneri Publik mbajti qëndrimin e tij lidhur me provueshmërinë e informacionit të sjellë nga institucionet në kuadër të denoncimeve të publikut dhe shkaqeve të ankimit.

Gjatë paraqitjes së prapësimeve të tij, subjekti i rivlerësimit deklaroi se pretendimet e Komisionerit Publik sa i përket kriterit të pasurisë janë të pabazuara, po ashtu, sipas tij, edhe pretendimet lidhur me qënien në konflikt interesi gjatë ushtrimit të detyrës, në aspektin praktik nuk janë të vërteta dhe nuk paraqesin aspekt ligjor. Subjekti i rivlerësimit, bashkëlidhur prapësimeve të tij, paraqiti edhe një akt të ri, një vërtetim të lëshuar nga Gjykata Administrative e Apelit që kërkoi të pranohet si provë nga trupi gjykues.

Pasi u tërhoq për konsultim, bazuar në nenin 49, pika 1, germa c, e ligjit 84/2016, trupi gjykues vendosi të administrojë vërtetimin e Gjykatës Administrative të Apelit, i cili do t’i vihet në dispozicion edhe Komisionerit Publik.

Në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi gjithashtu, t’i kërkojë dokumentacion shtesë Drejtorisë së Apelimit Tatimor dhe në pritje të mbërritjes së këtij dokumentacioni, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 19.05.2021, ora 10:00.

Me kërkesë të trupit gjykues, gjatë kësaj séance, në funksion të përgjigjeve ndaj shkaqeve të ankimit, subjekti i rivlerësimit do të mbajë qëndrimin e tij lidhur me shpenzimet e jetesës për vitet 1997-1999, ndërkohë që palët duhet të jenë të përgatitura edhe për të paraqitur konkluzionet përfundimtare.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.