Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 11.05.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 28/2020, datë 10.07.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 231, datë 29.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anton Martini.

Në vijim të seancës së mëparshme, kryesuesi i trupit gjykues u bëri me dije palëve përgjigjet e  ardhura nga Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier,  dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, me kërkesë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Palët konfirmuan njohjen me dokumentacionin pas përcjelljes së tij nga Kolegji dhe vlerësuan se nga ana formale, aktet ishin në formën e kërkuar nga ligji.

Sa i përket përmbajtjes, Komisioneri Publik deklaroi se informacioni i ardhur nuk ishte shterues në kuadër të hetimit gjyqësor të çelur nga Kolegji për denoncimet e ardhura në adresë të subjektit të rivlerësimit.

Referuar dokumentacionit të ri, subjekti i rivlerësimit hodhi poshtë pretendimet e ngritura në denoncimet e publikut, duke i cilësuar ato trillime të qëllimshme dhe tendencioze. Bashkëlidhur parashtrimit të tij, subjekti i rivlerësimit paraqiti vendimin nr. 467, datë 19.11.2018  të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për të cilin kërkoi të merret si provë nga trupi gjykues.

Pasi u konsultua, me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi:

– Të lejojë marrjen në cilësinë e provës të vendimit të paraqitur sot, që mban numrin 467 të datës 19.11.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, bazuar në nenin 45 të ligjit 84/2016.

 

– T’i kërkojë Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar aktet dhe kopje të faqes së regjistrit, në të cilin është dokumentuar përcjellja e fashikullit hetimor për çështjen me nr.286 të vitit 2013, në ngarkim të të pandehurit D.Z.

 

– T’i rikërkojë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë  Fier, aktet dhe kopje të faqes së regjistrit, në të cilin është dokumentuar përcjellja e fashikullit hetimor që mban numrin 286 të vitit 2013, në ngarkim të të pandehurit D. Z.

 

– T’i kërkojë Gjykatës së Apelit Vlorë, kopje të procesverbaleve të seancave gjyqësore të zhvilluara në periudhën kohore prej datës 09.03.2015 deri më datë 16.06.2015, të çështjes që ka përfunduar me vendimin gjyqësor nr.467, datë 19.11.2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

 

Trupi gjykues vlerëson se nëse do të lindë nevoja për zbatimin e këtij vendimi, do të ngarkohet Njësia e Shërbimit Ligjor, sipas kërkesaver të nenit Ç, paragrafi i katërt, i Aneksit të Kushtetutës për kryerjen e verifikimeve të nevojshme.

Në kuadër të bashkëpunimit, trupi gjykues ftoi subjektin e rivlerësimit të japë kontributin e tij për sqarimin e këtyre fakteve dhe rrethanave, për të cilat u vendos sot.

Në pritje të administrimit të dokumentacionit të mësipërm, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 27 maj 2021, ora 10:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.