Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 14.05.2021, ora 10:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 53/2019, datë 25.10.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 183, datë 19.07.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Çano.

Në vijim të seancës paraardhëse, gjatë së cilës Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit dhe kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor, ndërsa subjekti i rivlerësimit paraqiti prapësimet e tij dhë kërkoi marrjen e provave të reja, trupi gjykues, pasi u këshillua, me vendim të ndërmjetëm, vendosi:

  • Të deklarojë të hapur hetimin gjyqësor të çështjes në bazë të nenit F, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, neneve 41, pika 4, 43, pika 4 dhe 45 e ligjit nr.84.2016.
  • Të lejojë marrjen e provave të reja të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit në seancën gjyqësore të datës 27.04.2021, në bazë të nenit 49, pika 1 e ligjit nr.84.2016.
  • Në funksion të hetimit gjyqësor, të kërkojë dokumentacion dhe informacione shtesë nga këto institucione: Drejtoria e Përgjithshme e Tatim Taksave, Drejtoria Qëndrore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
  • Të hetojë e verifikojë në zbatim të nenit 53 të ligjit nr.84/2016, denoncimin e paraqitur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga shtetasi R.Sh, duke kërkuar të dhëna nga: Agjencia Shtetërore e Kadastrës Gjirokastër, Drejtoria e Ujësjellës – Kanalizimeve Gjirokastër, Vlorë e Lushnjë.

Në pritje të administrimit të këtij dokumentacioni, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 3.06.2021, ora 10:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.