Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 19.05.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 46/2019, datë 25.09.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Selita.

Kryesuesja e seancës bëri me dije mbërritjen në Kolegj të dokumentacionit shtesë nga Drejtoria e Apelimit Tatimor dhe përcjelljen e tij, palëve në proces. Pasi palët konfirmuan njohjen me dokumentin, në përmbushje të detyrave të lëna nga trupi gjykues seancën e mëparshme, subjekti i rivlerësimit paraqiti qëndrimin e tij lidhur me shpenzimet e jetesës për vitet 1997-1999.

Pasi palët, të pyetur nga kryesuesja, deklaruan se nuk kanë kërkesa të tjera lidhur me procesin e gjykimit, trupi gjykues deklaroi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, i njohur edhe me qëndrimin e subjektit të rivlerësimit mbi shpenzimet e jetesës për vitet 1997-1999, Komisioneri Publik deklaroi se as me provat e reja, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë pretendimet e tij dhe as të ndryshojë situatën faktike të çështjes, sa i përket pasurisë dhe denoncimeve të publikut. Ai vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare, nuk arrin të justifikojë me burime të ligjshme të ardhurat e tij dhe të personit të lidhur me të, si dhe ka bërë deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë.

Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të shprehet lidhur me aftësitë profesionale të subjektit të rivlerësimit dhe vlerësimin tërësor të çështjes, si dhe kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Kastriot Selita.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit kundërshtoi parashtrimin e Komisionerit Publik, duke deklaruar se ky i fundit është refuzues ndaj fakteve dhe provave të sjella në këtë gjykim në Kolegj. Sa i përket denoncimeve, subjekti i rivlerësimit deklaroi se janë të pavërteta, të pajustifikuara dhe të pabazuara në ligj.

Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pikën 1 të tij, dhe ndryshimin e vendimit për pikën 2 të tij, duke vendosur konfirmimin në detyrë edhe për këtë pikë.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtarëve të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 31.05.2021, ora 13.00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.