Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 31.05.2021, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 46/2019, datë 25.09.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Selita.

Kryesuesja e seancës bëri me dije se, pasi mbylli shqyrtimin gjyqësor në seancën e datës 19.05.2021 dhe u tërhoq për vendimmarrje lidhur me çështjen, gjatë bisedimeve, bazuar në nenin 315 të Kodit të Procedurës Civile dhe në nenin 50 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, trupi gjykues vendosi të revokojë vendimin e ndërmjetëm të datës 19.05.2021, për mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ta riçelë atë, për t’i kërkuar Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim – Taksave:

– informacion nëse në Republikën e Shqipërisë, në zbatim të legjislacionit në fuqi ndër vite, janë tatuar dhe a tatohen shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit.

Sapo trupi gjykues të ketë marrë këtë informacion nga institucionet e mësipërme, do t’ua përcjellë palëve në gjykim sipas rregullave procedurale.

Në pritje të këtij dokumentacioni shtesë, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 17.06.2021, ora 9:00. Në këtë seancë, palët do të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me dokumentacion e ri, nëse do t’u jetë vënë në dispozicion paraprakisht nga Kolegji.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.