Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 01.06.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 28/2020, datë 10.07.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 231, datë 29.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anton Martini.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik kundërshtoi si të pabazuar në ligj, pretendimin e subjektit të rivlerësimit për kryerjen e ankimit jashtë afatit ligjor prej 15-ditësh dhe deklaroi se u qëndron shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve të tij në seancat e mëparshme në Kolegj, lidhur me kriterin e pasurisë dhe atë të aftësive profesionale.

Komisioneri Publik deklaroi se edhe pas provave të reja, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Lidhur me kriterin e pasurisë, Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, ka mungesë të burimeve të ligjshme të pasurisë, ndërsa sa i përket aftësive profesionale, ka cënuar besimin e publikut në rolin e organit të prokurorisë.

Bazuar në nenin F, pikat 3 dhe 7 të Aneksit të Kushtetutës, në nenin 61, pika 3,4 dhe 5, si dhe në nenin 66 të ligjit 84/2016, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 231, datë 29.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Anton Martini.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit, duke deklaruar se Komisioneri Publik ka dalë në konkluzione të pasakta dhe të pavërteta. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se nëpërmjet argumentimit të bazuar në provat e reja të sjella gjatë procesit të zhvilluar në Kolegjin e Apelimit, u arrit të provohej e kundërta e ankimit si për kriterin e pasurisë, ashtu edhe atë të aftësive profesionale. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik me pretendimin se është kryer jashtë afatit ligjor, si dhe i kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 231, datë 29.01.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 10.06.2021, ora 15:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.