Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 17.06.2021, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 46/2019, datë 25.09.2019, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 161, datë 18.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Selita.
Kryesuesja e seancës u bëri me dije palëve përgjigjet e ardhura nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit u kishte kërkuar këtyre institucioneve, informacion nëse në Republikën e Shqipërisë, në zbatim të legjislacionit në fuqi ndër vite, janë tatuar dhe tatohen shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit.
Pasi palët konfirmuan njohjen me dokumentacionin e ri, kryesuesja e seancës citoi përgjigjet e institucioneve, ku mes të tjerash, referohej se shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit nuk tatohen, si dhe ftoi palët të shprehin qëndrimet e tyre në këtë kuadër.
Komisioneri Publik, gjatë shprehjes së qëndrimit të tij, në referencë të nenit 155 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, deklaroi se i qëndron rekomandimit të vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe bisedimeve përfundimtare të mbajtura në këtë gjykim, ku është shprehur se shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit, tatohen.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi qëndrimin e Komisionerit Publik, duke deklaruar se është një qëndrim refuzues ndaj ligjit, fakteve dhe provave të paraqitura në këtë gjykim. Subjekti i rivlerësimit, po në referencë në ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, deklaroi se shumat monetare të përfituara nga individët nëpërmjet dhurimit, nuk tatohen.
Trupi gjykues, pasi dëgjoi qëndrimet e palëve, i konsultuar në vend, vendosi të lejojë marrjen si prova, të përgjigjeve të ardhura nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 18 qershor 2021, ora 12:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.