Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 21.06.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besim Hajdarmataj [(JR) 3/2020, datë 14.01.2020].

Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit lidhur me dy kriteret e vlerësimit të subjektit të rivlerësimit: atë të aftësive profesionale dhe kriterin e pasurisë, si dhe vlerësimin tërësor të çështjes, duke i kërkuar Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit objekt ankimi dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesja e tij ligjore kundërshtuan shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke pretenduar se janë joobjektive, jo proporcionale, të pabazuara në ligj, në prova apo në rrethanat e çështjes. Në mbështetje të këtyre pretendimeve, përveç disa akteve të depozituara në Kolegj më datë 15.06.2021 – të cilat i ishin përcjellë paraprakisht Komisionerit Publik – subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja bashkëlidhur parashtrimit të sotëm, duke kërkuar riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes.

Me kërkesë të kryesueses së seancës, Komisioneri Publik u shpreh për denoncimet e ardhura në adresë të subjektit të rivlerësimit, z. Hajdarmataj, duke vlerësuar se në to nuk gjenden rrethana për t’i përfshirë në shkaqet e ankimit.

Për t’i lënë kohë të mjaftueshme Komisionerit Publik të shprehet lidhur me aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 06.07.2021, ora 12:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.