Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.07.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2021, datë 03.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sokol Ngresi.

Subjekti i rivlerësimit paraqiti një kërkesë paraprake, nëpërmjet së cilës, deklaroi se sipas tij, ky ankim është kryer jashtë afatit ligjor.

Bazuar në nenin 450 të Kodit të Procedurës Civile, trupi gjykues vendosi që lidhur me këtë kërkesë do të deklarohet në vendimin përfundimtar për çështjen.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme të pasurisë. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Sokol Ngresi.

Lidhur me disa denoncime, ku pretendohet për një pasuri të padeklaruar nga ana e subjektit të rivlerësimit, Komisioneri Publik rezervoi të drejtën të shprehet derisa subjekti i rivlerësimit të mbajë qëndrimin e tij dhe trupi gjykues të deklarohet nëse do t’i pranojë në cilësinë e provës këto denoncime.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik dhe lidhur me denoncimet deklaroi se kontrata e pronësisë e pretenduar është e falsifikuar dhe e montuar.

Pasi u konsultua, trupi gjykues pranoi në cilësinë e provës denoncimet në adresë të subjektit të rivlerësimit, me arsyetimin se kanë elemente mbi të cilat duhet hetuar.

Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit hetim të mëtejshëm mbi këtë denoncime dhe në përgjigje të kërkesës së tij, trupi gjykues vendosi:

  1. T’i kërkojë informacion përshkrues dhe akte shoqëruese shoqërisë A.Construction lidhur me kontratën nr. ***, datë 26.02.2014, mandatet e arkëtimit të pretenduara në denoncim si të nënshkruara prej subjektit të rivlerësimit, si dhe informacion mbi statusin aktual ligjor të pasurisë së përshkruar në kontratë, gjendjen fizike dhe pronësinë mbi të.
  2. Të kërkojë informacione shtesë sqaruese nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës Drejtoria Vendore Vlorë
  3. T’i kërkojë informacion ILDKPKI-së për mënyrën dhe praktikën e ndjekur nga ky institucion për vënien në dispozicion të modeleve të deklaratave periodike subjekteve deklarues, për periudhën 2007 deri 2010.
  4. T’i kërkojë informacion shoqërisë *** shkp ne lidhje me një kontratë noteriale lidhur ndërmjet kësaj kompanie dhe subjektit të rivlerësimit Sokol Ngresi, prishjen e saj dhe kthimin palëve ne gjendjen e mëparshme.

Në pritje të mbërritjes së këtyre përgjigjeve në Kolegj, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 26.07.2021, ora 09:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.