Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 21.07.2021, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 30/2021, datë 02.06.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 374, datë 23.04.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Shkëlqim Miri.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës konstatoi mosprezencën e subjektit të rivlerësimit apo të ndonjë përfaqësuesi ligjor të tij.

Trupi gjykues, pasi konstatoi se subjekti i rivlerësimit është njoftuar rregullisht per seancën gjyqesore, ka konfirmuar marrjen e njoftimit si dhe nuk ka paraqitur ndonjë shkak të arsyeshëm ligjor për të mos marrë pjesë në këtë gjykim, vendosi vijimin e shqyrtimit të çështjes në mungesë të subjektit të rivlerësimit.

Komisioneri Publik paraqiti një kërkesë paraprake para trupit gjykues, përmes së cilës kërkoi që ankimi kundër vendimit nr. 374, datë 23.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Shkëlqim Miri, të shqyrtohej pasi Kolegji të kishte gjykuar një tjetër çështje që i përket një tjetër subjekti rivlerësimi.

Trupi gjykues, pasi u konsultua, rrëzoi kërkesën e Komisionerit Publik si të pabazuar në ligj.

Ne vijim Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit, duke i kërkuar Kolegjit që në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë në mënyrë alternative ndryshimin e pikës 1 të dispozitivit të vendimit për subjektin e rivlerësimit Shkqëlqim Miri ose lënien në fuqi të tij.

Komisioneri Publik shprehu para trupit gjykues qëndrimin e tij se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duhet të kishte pezulluar vendimmarrjen për këtë çështje, derisa të ishte dhënë vendimi nga Gjykata e Lartë mbi një tjetër çështje penale që lidhet me subjektin e rivlerësimit.

Trupi gjykues, pasi mori konfirmimin e Komisionerit Publik se nuk kishte kërkesa apo prova të tjera, vendosi t’i japë fund hetimit gjyqësor dhe e ftoi atë të paraqesë konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës, që do të zhvillohet më datë 8.09.2021, ora 10:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.