Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 26.07.2021, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2021, datë 03.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Sokol Ngresi.
Në përgjigje të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, të datës 7 korrik 2021, kryesuesja bëri me dije mbërritjen e dokumentacionit të kërkuar nga Kolegji, përveç një përgjigjeje nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Ndryshe nga Komisioneri Publik, subjekti i rivlerësimit deklaroi se një pjesë e akteve të sjella nuk duheshin marrë në konsideratë nga trupi gjykues, pasi sipas tij, nuk përmbushnin kriteret ligjore për t’u pranuar në cilësinë e provës, duke qenë se ishin të falsifikuara. Në këtë kuadër, subjekti i rivlerësimit depozitoi disa akte te reja, të cilat kërkoi të merren në cilësinë e provës.
Pasi u konsultua, bazuar në nenin 213 të Kodit të Procedurës Civile dhe në nenin 49, të ligjit 84/2016, trupi gjykues vendosi të lejojë marrjen në cilësinë e provës të akteve të mbërritura në Kolegj në përgjigje të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, si dhe aktet e depozituara në seancën e sotme nga subjekti i rivlerësimit.
Bazuar në nenin 50, pika 6, e ligjit 84/2016, trupi gjykues vendosi të verifikojë arsyet e mosdërgimit të përgjigjes nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, duke sjellë në vëmendje përgjegjësinë ligjore që do të mbajë institucioni përkatës, në rast se bëhet fjalë për një mosbashkëpunim.
Komisioneri Publik deklaroi se pretendimet e subjektit të rivlerësimit nuk gjejnë mbështetje në asnjë prej akteve të mbërritura në Kolegj në përgjigje të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme.
Subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues zhvillimin e një séance të mbyllur, pasi sipas tij, në funksion të shqyrtimit të çështjes, do të paraqesë të dhëna personale, me karakter konfidencial që duhen trajtuar pa praninë e publikut.
Lidhur me këtë kërkesë të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues rezervoi të drejtën të shprehet në një moment të dytë, pas kryerjes së veprimeve procedurale të mëposhtme:
Bazuar në nenin “Ç”, pika 4 e Aneksit të Kushtetutës dhe nenin 49, pika 1, germa “b” të ligjit 84/2016, trupi gjykues vendosi:
- Të thërrasë në cilësinë e dëshmitarit shtetasin F.K dhe ta urdhërojë atë, të paraqesë disa akte origjinale në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në funksion të shqyrtimit të çështjes
Për këtë arsye, u vendos që seanca gjyqësore të shtyhet për në datën 09.09.2021, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.