Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 25.02.2020, ora 11:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.40/2018, datë 18.12.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 63, datë 06.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Arben Dollapaj.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, palët shprehën qëndrimin e tyre lidhur me përgjigjen e ardhur nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, pasi Kolegji i ishte drejtuar më parë kësaj strukture për informacione shtesë në kuadër të një denoncimi të ardhur për subjektin e rivlerësimit.

Komisioneri Publik e vlerësoi të plotë kërkimin e Kolegjit në këtë kuadër dhe shteruese, përgjigjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, sipas së cilës, në emër të subjektit të rivlerësimit nuk ka të regjistruar ndonjë procedim penal.

Palët debatuan mbi disa akte të reja shtesë që subjekti i rivlerësimit depozitoi gjatë seancës së sotme në funksion të shkaqeve të ankimit që lidhen me pasurinë, akte të cilat kërkoi të merren si provë nga trupi gjykues.

Duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me aktet e reja të paraqitura, Komisioneri Publik deklaroi se ato nuk sjellin asnjë element të ri që mund t’i përgjigjet ankimit.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi me shumicë votash të pranojë provat e reja dhe t’i bëjë ato pjesë të shqyrtimit gjyqësor.

Trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët të parashtrojnë konkluzionet e tyre përfundimtare në seancën e datës 05.03.2020, ora 08:30.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.