Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 19.06.2020, ora 12:30, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 10/2019, datë 29.02.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Alma Kolgjoka.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, kryesuesi citoi shkresat dhe aktet e ardhura në Kolegj në përgjigje të kërkesave të trupit gjykues për informacione shtesë në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Krahas këtyre akteve, subjekti i rivlerësimit, znj.Kolgjoka, bashkë me prapësimet e saj, paraqiti disa akte të reja shtesë, për të cilat kërkoi administrimin në cilësinë e provës.
Komisioneri Publik në prapësimet e tij u shpreh se përgjigjet e ardhura si rezultat i hetimit të Kolegjit janë shteruese dhe plotësojnë hetimin e kryer në mënyrë jo të plotë nga KPK-ja për pasurinë apartament banimi në Tiranë, në posedim të familjarit të subjektit të rivlerësimit.
Pasi administroi provat e mbërritura në Kolegj si rrjedhojë e hetimit, si dhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit znj.Alma Kolgjoka, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të shprehin konkluzionet përfundimtare.
Gjatë konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik u shpreh se për subjektin e rivlerësimit gjen zbatim neni 59, paragrafi i parë i ligjit nr. 84/2016 dhe për këtë arsye, kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.86, datë 17.12.2018 dhe konfirmimin në detyrë të subjektin të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj.Kolgjoka u shpreh se nëpërmjet fakteve të reja në këtë gjykim u provua në mënyrë kategorike dhe shteruese se familjari i saj nuk mund të përkufizohet si person tjetër i lidhur. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 25.06.2020, ora 09.30.
Seanca publike do të zhvillohet në adresën “Pallati i Koncerteve”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.