Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 25.06.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 51/2019, datë 17.10.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 169, datë 26.06.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Regleta Panajoti.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, znj. Regleta Panajoti dhe bëri me dije se ditën e djeshme, më datë 24.06.2020, Kolegji është njoftuar nga subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet postës elektronike, lidhur me një kërkesë të saj për dorëheqje nga detyra e gjyqtarit, drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Gjithashtu, po nëpërmjet postës elektronike, subjekti i rivlerësimit, znj. Panajoti i ka kërkuar Kolegjit shtyrjen e seancës gjyqësore publike, derisa Këshilli i Lartë Gjyqësor të shprehet lidhur me kërkesën e saj për dorëheqje.
Komisioneri Publik, pasi konfirmoi se është njohur zyrtarisht me kërkesat e subjektit të rivlerësimit, i kërkoi trupit gjykues vazhdimin e gjykimit, referuar nenit 179/3 të Kodit të Procedurës Civile dhe jurisprudencës së deritanishme të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Komisioneri Publik deklaroi se shtyrja e seancës mund të bëhet vetëm për të verifikuar vullnetin e subjektit të rivlerësimit për dorëheqje, sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës.
Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi t’i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor:
- Informacion për konfirmimin e paraqitjes së kërkesës së subjektit të rivlerësimit për dorëheqje nga statusi i magjistratit
- Informacion nëse kërkesa për dorëheqje është shoqëruar me një kërkesë të motivuar për përshpejtimin e efekteve të dorëheqjes, në kuptim të nenit 65, paragrafi 3, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Trupi gjykues vendosi gjithashtu, të ftojë subjektin e rivlerësimit të dëgjohet personalisht nga Kolegji në seancë publike në lidhje me vullnetin e saj për vijimin e procesit të rivlerësimit, në kushtet kur Komisioneri Publik kërkon vazhdimin e gjykimit.
Për arsyet e mësipërme, seanca gjyqësore u ndërpre për të vijuar në datën 10.07.2020, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në adresën “Pallati i Koncerteve”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.