Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 17.07.2020, ora 10:30, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 103, datë 05.02.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.
Në fillim të seancës gjyqësore, subjekti i rivlerësimit, znj. Donika Prela, paraqiti dy kërkesa paraprake për përjashtimin nga trupi gjykues të kryesueses, gjyqtares Natasha Mulaj dhe të anëtares së këtij trupi, gjyqtares Ina Rama, pasi pretendon se është në konflikt interesi me to, për shkak të detyrës së saj si prokurore.
Trupi gjykues, pasi u konsultua, konstatoi se bazuar në nenin 27 pika 2 e ligjit 84/2016, kompetencën për shqyrtimin e këtyre kërkesave e ka një trupë tjetër gjykuese që caktohet me short; në këto kushte, kërkesat do të shqyrtohen nga dy trupa të tjerë gjykuese, pas hedhjes së shortit për caktimin e tyre.
Kryesuesja e seancës konstatoi gjithashtu, se bazuar në nenin 75, paragrafi i fundit i Kodit të Procedurës Civile, paraqitja e këtyre kërkesave, nuk e pezullon gjykimin e kësaj çështjeje, por gjyqtaret Ina Rama dhe Natasha Mulaj nuk do të marrin pjesë në dhënien e vendimit, derisa të shqyrtohen kërkesat për përjashtimin e tyre. Në këto kushte, trupi gjykues vendosi vijimin e gjykimit të çështjes.
Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit, duke kërkuar ndryshimin e vendimit nr.103 datë 05.02.2019 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Prela, parashtroi në mënyrë të detajuar kundërshtimet e saj ndaj ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, si dhe i kërkoi trupit gjykues të riçelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës, disa akte të reja që i depozitoi pranë trupit gjykues.
Për t’i lënë kohë të arsyeshme Komisionerit Publik të shprehet lidhur me lejueshmërinë dhe vlerën provuese të këtyre akteve, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 27 korrik, ora 09.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.